Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizoi ceremoninë festive në kuadër të 248 vjetorit të pavarësisë. Në një ceremoni ku ishin ftuar personalitetet më të larta shtetërore shqiptare, i dërguari me punë në ambasadën e SHBA, David Wisner, vlerësoi marrëdhënien ndërmjet dy vendeve duke u shprehur se ato janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit.
“Për amerikanët, Dita e Pavarësisë është një ditë e shenjtë. Teksa veshim ngjyrat tona, të kuqe, të bardhë dhe blu, dhe mblidhemi me familjen e miqtë, nderojmë edhe historinë tonë. Ne përsiatemi mbi frymën e lirisë dhe të patriotizmit që na bën të fortë. Mbrëmja e sotme është shumë e veçantë për të gjithë ne amerikanët këtu, që ta ndajmë këtë frymë me ju, miqtë dhe familjen tonë shqiptare. Lidhjet që bashkojnë dy vendet tona janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit. Kemi shumë të përbashkëta – që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, te dashuria jonë për lirinë.”
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni u shpreh se demokracia amerikane është frymëzim për Shqipërinë.
“Shqipëria është frymëzuar thellësisht nga parimet amerikane të lirisë dhe demokracisë. Marrëdhënia midis Shqipërisë dhe SHBA është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të këtyre parimeve dhe e ndikimit të thellë që ata kanë në përcaktimin e fatit të një kombi, e kombit tonë.”
Dita e pavarësisë së SHBA është në 4 korrik, por selitë diplomatike organizojnë ceremonitë festive disa ditë përpara. (A2 Televizion)