Publikohen të dhënat e censit, 2 402 113 banorë në Shqipëri

Nga A2 CNN
28 Qershor 2024, 11:24 | Aktualitet

Në Shqipëri janë 2 402 113 banorë! Të dhënat janë publikuar zyrtarisht nga drejtoresha e INSTA, Elsa Dhuli. Në një dalje për mediat, ajo bëri me dije se nga këto 2 402 113 banorë, janë 755 950 familje me madhësi mesatare, me 3.2 anëtarë për familje të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme.

Në fjalën e saj, Dhuli prezantoi sfidat, teksa shtoi se kryerja e këtij Censi, ka plotësuar një nga kushtet e BE.

“Kryerja e Censit për popullsinë dhe banesat, plotësuan kushtet për anëtarësim në BE. Ky Cens u realizua pas disa sfidave të ndodhura përgjatë tërmetit apo dhe pandemisë së COVID-it. Sfida të tjera u përballën, grumbullimi i numëruesve, nga jugu në veri, pavarësisht terrenit malor apo zonave të populluara.”, tha ajo.

Ishte parashikuar që Censi i Popullsisë dhe Banesave që u zhvillua vjet, të publikohej në 19 qershor, por më pas u shty pa dhënë një motiv. Mirëpo, kjo vonesë për opozitën ka qëllime të fshehura. Sipas tyre, e gjitha bëhet për të fshehur rënien e popullsisë, madje nuk munguan as akuzat për falsifikim të të dhënave.

Censi i fundit i realizuar në Shqipëri ka qenë në 1 tetor 2011, ku popullsia e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë, pra përgjatë këtyre viteve ka pasur një tkurrje, me të paktën 400 mijë persona. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos