
Sekretari amerikan i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, uroi shqiptarët për 28 Nëntorin dhe theksoi partneritetin e fortë midis Tiranës dhe Uashingtonit. Ai vuri në pah përkushtimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë, si dhe rolin e Shqipërisë në NATO, themeli i mbrojtjes së përbashkët.
Rubio përgëzoi investimet e Shqipërisë në sigurinë kolektive dhe bashkëpunimin me forcat shqiptare të rendit në luftën kundër grupeve kriminale transnacionale, trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë kibernetike dhe përparimet e rëndësishme të vendit në këtë fushë, shkruan A2 CNN.
Në përvjetorin e pavarësisë, SHBA shpreh gatishmërinë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe miqësi të përhershme me Shqipërinë. (A2 Televizion)