
Dita e sotme, 28 nëntori, shënon 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Politika shqiptare ka uruar ditën e Pavarësisë, përmes postimeve në rrjetet sociale, shkruan A2 CNN.
“MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Rama në faqen e tij në Facebook.
Ndërkohë Meta në faqen e tij në Facebook ka shkruar se i është përjetë mirënjohës Ismail Qemalit, themeluesit modern të shtetit shqiptar.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet.
Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë.
Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë.
???????? Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur!”, ka shkruar Meta në Facebook. (A2 Televizion)