“Vaj ulliri dhe lëng kockash që në mëngjes!” Mjeku: Ja ku po gaboni sapo zgjoheni

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 08:28 | Sociale

I ftuar në “Dita Jonë” në A2 CNN, mjeku natyropat dhe imazherist, Luçiano Bardhi, foli gjerësisht mbi rëndësinë e një mëngjesi të shëndetshëm, sidomos për fëmijët. Bardhi theksoi se edhe pse shumë prindër nxitojnë t’u japin fëmijëve produkte të gatshme si kornfleksa, çokollat apo margarina, këto nuk ofrojnë as proteina, as energji reale. Sipas tij, “janë ushqime bosh, sintetike, që vetëm simbolizojnë vaktin”.

Ai rekomandon rikthimin te mëngjeset tradicionale: një vezë e zier, pak vaj ulliri, pak gjalpë i shkrirë apo edhe një lugë lëng kockash, një “vaksinë natyrale” për forcimin e imunitetit. Bardhi shpjegoi se lëngu i kockave, i pasur me aminoacide si glicina, prolina dhe hidroksiprolina, ndihmon qelizat e bardha të gjakut të neutralizojnë toksinat dhe viruset. Me pak mjaltë ose limon, kjo përzierje bëhet, sipas tij, një mburojë imunitare për fëmijët që sëmuren shpesh.

Sipas Bardhit, fëmijët nuk duhet të konsumojnë mëngjes menjëherë sapo zgjohen. “Mjaftojnë 30-40 minuta që trupi të zgjohet natyralisht nga kortizoli,” tha ai, duke shtuar se rëndësi ka cilësia e ushqimit, jo thjesht mbushja e stomakut, shkruan A2 CNN.

Edhe për të rriturit, mëngjesi me ushqime proteinike dhe yndyra të shëndetshme është i këshillueshëm, por jo detyrimisht i domosdoshëm çdo ditë. Veza, omleta, supat e ngrohta, kosi dhe vaj ulliri mbeten zgjedhje më të mira se ushqimet e përpunuara. Bardhi dha mesazhin se “më shumë vlerë ka një mëngjes i thjeshtë e i vërtetë, sesa një vakt modern, por bosh”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos