A2CNN ka mësuar detaje nga operacioni i Antimafias së Breshia, si funksiononte grupi shqiptar me bazë në Durrës dhe si u zbulua. Po ashtu bëhet e ditur se grupi kishte lidhje edhe me Sacra Corona Unita.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar si një nga goditjet më të rënda ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës në vitet e fundit. Ekipet nga Guardia di Finanza, të koordinuara nga komanda e Brescias dhe SCICO, hynë në veprim së bashku me Europolin, Eurojust dhe forcat policore nga Shqipëria, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, duke ekzekutuar 24 masa paraprake dhe sekuestrime në një vlerë të vlerësuar prej 3 milionë eurosh. Sipas hetuesve, të dyshuarit janë pjesë e një organizate të strukturuar të aftë për të trafikuar drogë në shkallë globale. Janë gjithsej 49 të dyshuar, 24 prej të cilëve i janë nënshtruar masave paraprake (21 janë arrest në burg dhe tre janë vendosur nën arrest shtëpiak).
Një hetim 5-vjeçar
Hetimi, i koordinuar nga Zyra e Prokurorit Anti-Mafia të Distriktit të Brescias, është rezultat i pesë viteve punë hetimore, nga viti 2020 deri në vitin 2025, të kryera në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe zvicerane si pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimor. Hetimi u mbështet në teknika të sofistikuara, deshifrimi i bisedave të koduara, përgjimi telefonik dhe mbikëqyria në terren. Hetimi u ndihmua shumë pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC.
Sipas hetuesve, grupi me bazë në Shqipëri dhe me degë në Itali importonte kokainë nga Amerika e Jugut duke përdorur rrugët tregtare drejt porteve kryesore të Evropës Veriore. Droga më pas transportohej në Itali me kamionë, e fshehur brenda automjeteve të rënda. Raportohet se u transportuan mbi 1,300 kilogramë kokainë, e cila u shpërnda në gjashtë qendra logjistike në të gjithë vendin, tre prej të cilave ishin në zonën e Brescias, ku magazinohej dhe shpërndahej.
Sipas Antimafias skena e vendimmarrjes ishte në Durrës, ku krerët e organizatës kriminale janë të vendosur. Sipas Antimafias, krerët e organizatës transnacionale janë Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doçi (Visi i Pojës). Urdhrat dhe udhëzimet drejtoheshin nga këta tre persona sidrejt organizatorëve në magazinat në Itali transportoheshin nëpërmjet kamionëve. Droga më pas ndahej dhe shpërndahej në një rrjet të mirëorganizuar të menaxhuar në mënyrë manuale jashtë zonës së syrit së institucioneve. Bankat shqiptare janë përdorur ndërmjetës nëpërmjet njerëzve të autorizuar që administronin paratë e hedhura nga aktiviteti kriminal, sipas hetuesve nuk përmendin numër konkret të organizatorëve të tjerë por përmbyllja e bankave ishte pjesë e planifikimit.
Të gjithë emrat e masave arrest me burg
– Vincenzo Bruno
– Arlin Buzali
– Donald Cala
– Erion Kapidani
– Elton Gjegja
– Adriatik Hasa
– Erion Kapidani
– Oltion Lala
– Asti Llupi
– Denis Myftiu
– Altin Shehaj
– Gazmend Shehu
– Bledin Doçi
– Elvis Doçi
– Juljan Hyka
– Eduart Leba
– Gentian Deshijeqi
– Klodian Vata
Nën arrest shtëpiak:
– Giuseppe Iorio
– Erald Salla
– Enkeleid Tirjaku
Vetëm 10 masa janë ekzekutuar nga autoritetet italiane, por nuk bëhen të ditur emrat e personave ndaj të cilëve është ekzekutuar masa.
Impiantet e magazinimit në zonën e Brescias
Në Itali kishte gjashtë baza operative, tre prej të cilave ishin në provincën e Brescias. Sasitë e mëdha të kokainës dhe heroinës ruheshin në disa garazhe në Rovato, një depo në Palazzolo sull’Oglio dhe disa garazhe parkimi në qytet. Baza e qytetit menaxhohej nga Arlin Buzali, një 35-vjeçar i cili, sipas hetuesve, merrte, ruante dhe dorëzonte drogën, si dhe vepronte si arkëtar i organizatës, duke mbledhur para nga klientët të tjerë. Buzali ishte gjithashtu përgjegjës për menaxhimin e një pjese të kokainës së importuar në provincën e Brescias.
Ai ishte arrestuar më 21 korrik 2021, në Gardone Val Trompia, ndërsa udhëtonte në një makinë me partneren e tij. Të fshehura në ndarje të ndërtuara posaçërisht në automjet ishin gjithsej 12 kilogramë kokainë me një pastërti prej afërsisht 70%. Ai sapo i kishte marrë ato nga një korrier italian. Depoja në Palazzolo sull’Oglio menaxhohej nga Eduart Leba.
Si transportoheshin paratë
Nga këto qendra, menaxhohej jo vetëm droga, por edhe rrjedha e parave. Të ardhurat nga shitjet do të silleshin në Shqipëri dhe më pas pastroheshin përmes njerëzve të përfshirë në aktivitetet dytësore, përfshirë bizneset. Bëhej fjalë për një organizim të sofistikuar ku mjete të ndryshme të transportit të parave autorizoheshin të vepronin për të tërhequr dhe dorëzuar para.
Kompania e transportit në përputhje me rregullat
Droga, e importuar nga Amerika e Jugut dhe e transportuar nëpërmjet rrugëve tregtare në portet e Evropës Veriore, u transportua në Itali e fshehur brenda automjeteve të rënda. Bashkëpunimi i kompanive të transportit që përmbushnin rregullat ishte thelbësor për organizatën. Midis atyre që janë nën hetim është Giuseppe Iorio.
Hetuesit besojnë se 57-vjeçari, me origjinë nga Kampania, por që jeton në zonën e Bergamos, është administratori de facto i kompanisë së transportit që, në emër të Erion Kapidanit, siguroi mbulim për aktivitetin kriminal. Iorio u vendos nën arrest shtëpiak, i akuzuar për përfshirje në një aktivitet të jashtëligjshëm brenda organizatës.
Lidhjet me Sacra Corona Unita
Sipas Antimafias elementët e tjerë kyç të organizatës janë baza e Puglias, e menaxhuar nga Altin Shehaj dhe Vincenzo Bruno, me origjinë nga Lecce dhe Brindisi. Sipas hetuesve, një nga krerët italianë, i cili kishte lidhje me Sacra Corona Unita, merrte furnizimet e saj. Në total, rreth 130 kg kokainë janë dërguar nga Amerika e Jugut drejt qendrës së grupit.
Ndërkohë edhe pse operacioni ka përfunduar policia shqiptare ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për ekzekutimin e masave, sa janë zbatuar dhe sa jo, por edhe emrat e personave. Edhe SPAK në njoftimin zyrtar dje nuk dha emra. Nga përsonat e shpallur në kërkim nga Antimafia 6 ndodheshin në Shqipëri ku vetëm për tre prej tyre është ekzekutuar masa, për Altin Shehaj, Erald Salla (arrest shtëpie) dhe Asti Llupi, ndërsa nuk bëhen të ditur emrat e tre personave të tjerë që nuk janë arrestuar. Ndërkohë në kuadër të hetimeve të këtij grupi SPAK arrestoi edhe një oficer të antiterrorit, Igli Haxhiajn. (A2 Televizion)