Apel për pushtetin lokal, nxënës dhe banorë drejt izolimit nga shembja e urës

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazmend Janku
8 Dhjetor 2025, 13:23 | Aktualitet

Prej më shumë se dy javësh, nxënësit e shkollës, por edhe banorët e fshatit Bardhaj në njësinë administrative Rrethina në Shkodër, kanë vështirësi për të ndjekur mësimin si dhe punët e përditshme, për shkak të shembjes së një prej këmbëve të urës në këtë fshat. Lëvizja e mjeteve të transportit është pezulluar, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje nga pushteti lokal, pasi po u vështirësohet së tepërmi jeta.

“Problemi kryesor është një urë që na është shembur para disa ditësh, pra para dy javësh, dhe na ka bllokuar e izoluar plotësisht, si të rriturit ashtu edhe fëmijët. Problemi më i madh është te fëmijët e shkollës dhe të kopshtit. Janë rreth 150 fëmijë që shkojnë në shkollë dhe në kopsht”, thotë një banor. “Kjo është rrugë kryesore dhe është edhe rruga që të çon në varrezat e fshatit. Nëse ndodh ndonjë rast emergjent, është shumë e vështirë për të kaluar”.

“Nuk na vjen furgoni për të marrë fëmijët. Janë rreth 150 fëmijë të lagjes dhe furgoni nuk vjen kurrë për t’i marrë. Të na ruajë Zoti që të mos ketë ndonjë të sëmurë. Si do të vijë ambulanca kur as furgoni nuk lejohet të hyjë aty?”, thotë një tjetër.

Në mungesë të transportit, veçanërisht për nxënësit e shkollës, në ditët me reshje shiu ose dëbore është e pamundur ndjekja e mësimit, pasi duhet të ecin për disa kilometra në këmbë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos