Korça ndez dritat e festave, fluks vizitorësh, kapacitetet akomoduese të gjitha të rezervuara

Nga Artin Halili
7 Dhjetor 2025, 12:21 | Aktualitet

Korça ndezi mbrëmjen e djeshme dritat dekorative të festave të fundvitit, në një ceremoni të ndjekur nga qindra banorë dhe turistë që kishin mbushur qendrën e qytetit. Ndërsa numërimi mbrapsht nisi, atmosfera u ndez nga efekti i dritave që shpërthyen mbi pedonale, duke e kthyer qytetin në një skenë tipike të magjisë së Dhjetorit.

Turistët, shumica nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të huaj, e kanë kthyer Korçën në një destinacion të përvitshëm. Ata tregojnë se rikthehen çdo fundvit për atmosferën e veçantë, traditat dhe qetësinë që ofron qyteti.

"Nuk është hera ime e parë.   Ky është viti im i tretë që vij në Korçë. Jam nga Greqia, Xanthi. Këtu çdo gjë është bukur, paqësore. Vij me familjen time. Festat në Dhjetor janë magjike në Korçë".

"Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri nga një mik grek i Korçës për gjithë shqiptarët".

"Unë vij nga Selaniku, vij përherë në Korçë. Ka një atmosferë fantastike në këtë qytet dhe ne jemi dashuruar", shprehen turistët grekë.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, theksoi se Korça është shndërruar tashmë në kryeqytetin e festimeve, me një kalendar të pasur eventesh që do të zgjasë deri më 6 Janar. Ai shtoi se kapacitetet akomoduese janë të gjitha të rezervuara prej kohësh, duke treguar fluksin e lartë të vizitorëve.

"Korça ndezi dritat e festave dhe merr pamje magjike duke u shndërruar në kryeqytetin e festimeve. Është një kalendar i pasur që do na shoqërojë gjatë gjithë ditëve deri në Janar. Do kemi shumë miq e vizitorë, brenda e jashtë Shqipërisë. Ka kohë që gjithë kapacitetet akomoduese të Korçës janë të rezervuara", theksoi kryebashkiaku Sotiraq Filo.

Gjatë gjithë Dhjetorit, Bashkia e Korçës ka planifikuar një program të ngjeshur artistik me shfaqje, koncerte dhe aktivitete kulturore, duke e kthyer qytetin në një prej destinacioneve më të kërkuara festive në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos