Arratisjet në komunizëm, Autoriteti i Dosjeve kujton vrasjet në kufi, ka pendesë nga ekzekutorët

Nga Artin Halili dhe Armend Pire
29 Gusht 2024, 09:15 | Aktualitet

Autoriteti i Dosjeve të sigurimit të shtetit në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve organizoi në Pogradec një simpozium për të sjellë në vëmendje nëpërmjet dokumentave origjinale dhe shqyrtimit të fakteve për vrasjet e ndodhura në kufij gjatë viteve 1944-1990.

Gentiana Sula, drejtore e Autoritetit të Dosjeve tha se ka shenja të pendesës për vrasjet, por ato janë individuale dhe jo publike. Për këtë Sula ka siguruar se ky autoritet së shpejti do të organizojë një aktivitet për pendesën publike mbi këto vrasje.

“Ajo që më rezulton mua është se në plan individual, ka pendime dhe shfaqje pendese mbi këto vrasje, por ajo që mungon është shfaqja publike e kësaj pendese që të jetë jo thjeshtë propagandistike, jo thjeshtë hipokrite por të jetë e ndjerë. Ne si autoritet po mendojmë për një aktivitet të madh të shfaqjes së pendesës dhe keqardhjes, për mënyrën e dokumentimit të këtyre gjesteve."

Nga Pogradeci drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve ka bërë me dije se ka eshtra të cilat Sigurimi i Shtetit nuk ua ka dorëzuar familjarëve për të shmangur hetimet mbi vrasjet.

“Ne nga studimet dhe hapjen e arkivës kemi konstatuar një udhëzues të kohës i cili detyron organet të mos i japin trupat familjarëve, mendojmë që ka qenë një tentativë për ti shkëputur nga hetimi ngjarjen dhe për ta shkëputur nga kujtesa. Na rezulton që në disa raste janë të zhdukur në kufij kemi të paktën 10 aplikime në këtë kategori."

Xhek Beci, një i mbijetuar nga plumbat e ushtarëve të kufirit, tregon momentet e dhimbshme kur së bashku me vëllain kanë tentuar arratisjen.

“Na qëlluan pa paralajmërim, kam mbetur i plagosur unë dhe ka vdekur në vend vëllai im. Në kufij vetëm në vitin 89-90 në rrethin tim janë vrarë 33 veta, që nga mosha 4 vjeç, 16 vjeç dhe një çift i ri sapo të fejuar që donin të ndërtonin jetën në një vend tjetër, jo këtu ku mohohej liria në atë kohë. Ndërsa në Shqipëri nga viti 1944 deri në vitin 1991 janë vrarë dhe zhdukur mbi 980 veta.”

Et’ Hem Fezollari tha se arratisja në komunizëm ishte e pamundur për shkak të ruajtjes dhe do të duhet të zgjidhje midis vdekjes dhe lirisë.

“Të arratiseshe në diktaturë ishte në kufijtë e pamundësisë sepse kufijtë ishin hermetikë, jo vetëm nga ushtria dhe policia por ishte një gardh i pakalueshëm tokësor, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne zgjodhëm vdekjen ose lirinë nëpër ujë. Sepse ishte në pamundësi për të arritur atë fitore që ne arritëm, lirinë sepse ishim fëmijë nga 9 muajsh deri në 54 vjeç që kishim nënën.”

Autoriteti i Dosjeve ka vërejtur se nga 311 kërkesa të familjarëve  në Drejtorinë e Procesit të Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, pranë AIDSSH, 10 përqind të rasteve janë kërkesa të vrasjeve në kufi. Në Drejtorinë e Informacionit numërohen rreth 126 kërkesa individuale që lidhen me tentativat për arratisje, të vrarët në kufi dhe arratisje të realizuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos