Banorë të lagjes numër 4 në Pogradec, e cila njihet ndryshe edhe si lagjja Kala, kanë protestuar për kushtet e rënda në të cilat është lënë rruga që lidh këtë lagje me rrugën kryesore.
Sipas banorëve, lënia pa asnjë mirëmbajtje e kësaj rruge, 1,5 kilometra e gjatë, jo vetëm vështirëson jetesën, por po e bën të rrezikshëm kalimin në të, veçanërisht në ditët me reshje apo gjatë ngricave të dimrit.
Përveç banorëve, kjo rrugë po penalizon edhe turizmin, pasi shumë turistë që shkojnë për të vizituar rrënojat e kalasë së Pogradecit hasin vështirësi dhe pësojnë dëmtime të ndryshme të mjeteve të tyre.
Banorët i bëjnë apel Bashkisë së Pogradecit të marrë masa sa më shpejt dhe kryebashkiakut të Pogradecit të mbajë premtimet që u ka bërë këtyre banorëve kur u ka kërkuar votën. (A2 Televizion)