Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë mesditën e së enjtes një analizë vjetore të ministrisë që ai drejton, por edhe ka prezantuar prioritetet për vitin 2024.
Analizën, Balla e nisi me turizmin për gjatë gjithë vitit që lamë pas duke theksuar se emri i Shqipërisë mund të thuhet se ”është pastruar një herë e mirë.”
“Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse,” u shpreh ministri.
Po në kuadër të turizmit, Balla shtoi se po bëhen përgatitje për të përballur fluksin më të lartë të turistëve që priten këtë sezon.
“Struktura e re, Forca Kombëtare e Sigurisë, do të duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe, sa i përket sigurisë publike gjatë sezonit turistik.”
Balla tha se gjatë 2023 edhe numri i aksidenteve rrugore është ulur ndërsa numri i automjeteve në qarkullim është rritur.
Prioritet për Ministrinë e Brendshme këtë vit, siç u shpreh dhe drejtuesi saj, do të jetë kontrolli i situatës së zjarreve, ulja e numrit të aksidenteve në zonat qytetase në bashkëpunim me bashkitë e qyteteve të mëdha, si dhe parandalimi dhe zbulueshmëria i ngjarjeve kriminale. (A2 Televizion)