“Një Shqipëri në BE” ishte mesazhi që ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përcolli nga Shkodra. Shqipëria në familjen europiane dhe fenomeni i emigrimit ishin në fokus të fjalës së kryediplomatit gjatë një aktiviteti artistik të zhvilluar në kuadër të “Javës së Europës 2026”. Nga Stacioni i Trenit në Shkodër, Gonzato deklaroi se qindra mijëra shqiptarë kanë emigruar, por po vihet re edhe një trend rikthimi i tyre në vend.
“Ideja e Javës së Europës në vitin 2026 është ideja për të pasur një hapësirë vërtet të hapur për të gjithë… Stacionet si ky stacion treni janë gjithmonë hapësira të cilat mbajnë kujtime të forta në kujtesën tonë… Këto janë histori largimi, ashtu siç ka edhe shumë, qindra e mijëra shqiptarë të cilët janë larguar nga Shqipëria… por ka edhe shumë prej tyre që janë kthyer dhe që jam i sigurt se do të vazhdojnë të kthehen, sepse vetëm kështu mund të kontribuojnë për të ardhmen e Shqipërisë, e cila në fund të fundit do të jetë një Shqipëri në Bashkimin Europian, dhe ky është edhe misioni i punës sime.”
Ky aktivitet u zhvillua përmes projektit “Terminal: Vini re, vini re!”, një eksperiencë artistike e sjellë nga këngëtarja Eda Zari dhe “Kult 360 Collective”. Pjesë e tij ishte edhe një udhëtim simbolik mediatik, ku mori pjesë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili theksoi rëndësinë e rikthimit të vëmendjes te infrastruktura hekurudhore. Ambasadori Gonzato vlerësoi mesazhin e këtij projekti që fton në bashkëpunim.
“Ju faleminderit për këtë projekt të mrekullueshëm… Ju keni bërë një përmbledhje tepër të saktë të asaj që ne dëshironim të mishëronte Java e Europës 2026, pra faktin që ne të kuptojmë edhe këndvështrimin e tjetrit, sepse në fund të fundit kjo është ideja: të hyjmë në mendjen e tjetrit… por edhe të gjejmë të përbashkëtën, sepse vetëm kështu mund të ecim përpara.”
Për tre ditë me radhë, nga 15 deri më 17 maj, hapësira industriale e Stacionit të Trenit në Shkodër mirëpriti instalacione artistike, materiale arkivore dhe performanca muzikore live, duke rikthyer në vëmendje historinë dhe simbolikën e hekurudhës shqiptare. (A2 Televizion)