Pas skandalit të SHISH, ku drejtuesja e tij, Vlora Hyseni, po hetohet nën dyshimin për nxjerrje të informacionit të klasifikuar, koloneli Dritan Demiraj paralajmëroi një tjetër skandal më të madh që pritet të publikohet në 3-4 javët në vijim. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se edhe ligji ndryshimet në kodin e procedurave penale, të paraqitura sot nga kryeministri Edi Rama, synojnë të kërcënojnë drejtësinë.
“Agjencitë e Inteligjencës në shumicën e rasteve flasin duke mos folur, por flasin me veprime. Shumë shpejt në 3-4 javët e ardhshme siç e kemi paralajmëruar dhe në rastin Vlorës do të paraqiten, prandaj kryeministri ka nxituar të ofrojë këtë ligj për të paralajmëruar dhe kërcënuar drejtësinë që të mos guxojë të nxjerrë skandalet e tmerrshme të keqqeverisjes së tij duke i treguar popullit mënyrës si keqqeveriset dhe partnerëve se kush i drejton strukturat e sigurisë të cilat janë nën kontrollin e krimit të organizuar”, tha Demiraj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij, rasti i Vlora Hysenit është një kambanë alarmi dhe përgjegjës është kryeministri. Ai thotë se e njëjta situatë si në SHISH është edhe në institucione të tjera.
"Që nga emërimet e Tahirit që kanabizoi Shqipërinë, emërimi i Mimi Kodhelit që ishte pjesëmarrëse e drejtpërdrejt në trafikun e drogës me mbylljen e radarëve. Kjo bëhet vetëm përmes emërimit të njerëzve jo profesionistë. E njëjta situatë është në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Brendshme, Energjetikës shumë shpejt edhe të shëndetësisë me skemat kriminale të KAYO-s, ku trafikantëve ndërkombëtarë u është dhënë çdo sektor strategjik i Shqipërisë duke shfrytëzuar çdo mundësi që u japin nevojat e tenderimit të Shqipërisë në funksion të qëndrimit të Ramës në pushtet. Dhe rreziqet e kërcënimet janë të jashtëzakonshme çka ka bërë të ulërasin shërbimet partnere dhe të fërkojnë duart shërbimet e tjera”.
(A2 Televizion)