
Policia ka zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Peqin, ku u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në pronësi të familjes Hasa, në të cilën është përfshirë edhe drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa.
Gjatë kontrollit u konstatuan 1,105 vazo me bimë dhe fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
Në pranga ka rënë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim:
R. H., 30 vjeç, pronar i ambientit ku u gjet droga, i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike”;
E. H., 24 vjeç, i afërm i tij, i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”;
E. M., 36 vjeç dhe D. E., 34 vjeç, të dy punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Një ditë më parë, Bilal Hasa është vetëdorëzuar në polici, është marrë në pyetje dhe më pas është lënë i lirë. Ai ka deklaruar se ambjenti është në pronësi të vëllait të tij, Romario Hasa, dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm.
(A2 Televizion)