SHBA mbyll faqet iraniane që publikuan të dhëna nga sulmet ndaj Shqipërisë

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 15:38 | Aktualitet

SHBA mbyll faqet iraniane që publikuan të dhëna nga sulmet ndaj

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka mbyllur disa faqe interneti që, sipas autoriteteve amerikane, përdoreshin nga Irani për operacione psikologjike dhe shpërndarje propagande.

Sipas njoftimit zyrtar, këto platforma dyshohet se menaxhoheshin nga Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe shërbenin për të synuar kritikët e regjimit, si dhe për të publikuar materiale të marra nga sulme kibernetike.

Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se përmes këtyre faqeve janë shpërndarë edhe të dhëna të vjedhura nga sulme të mëparshme, përfshirë edhe ato ndaj Shqipërisë. Po ashtu, sipas Departamentit të Drejtësisë, përmbajtja e publikuar ka përfshirë thirrje për dhunë ndaj gazetarëve, disidentëve dhe qytetarëve izraelitë.

Një prej portaleve të mbyllura rezulton të ketë lidhje me grupin “Homeland Justice”, i cili më herët ka marrë përgjegjësinë për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. Departamenti i Drejtësisë i cilësoi materialet e publikuara në këto faqe si pjesë e propagandës iraniane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos