Sulmet kibernetike, të cilat janë marrë përsipër nga i njëjti grup hakerash që nxori jashtë funksionit shërbimet publike korrikun e një viti më parë, po vijojnë.
Përpjekjet e zgjeruara nga jashtë, tashmë për të ndërhyrë në sistemet digjitale të administratës dhe bizneseve konfirmohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
“Nëse aktualisht bëjmë një kontroll të thjesht kemi Kuvendin e Shqipërisë, faqja e së cilit është jashtë shërbimi. Dyshohet, bazuar edhe në postimet e hakerave se kemi pasur edhe rrjedhje të dhënash. Kjo do i mbesë kohës. Edhe në hakërrim e parë që ndodhi u tha që nuk kishte pasur rrjedhje të dhënash, por në fakt rezultoi e kundërta. Pa funksion kemi gjithashtu ILDKPI dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit”, u shpreh Besmir Semanaj, ekspert për sigurinë kibernetike.
Teksa tregon se sulmet janë kryer me anë të mënyrës “DDoS” e cila nxjerr jashtë shërbimet sistemet, AKSHI njofton se pas rreth një orë përpjekjesh, situata është kthyer në normalitet.
“Unë e lexova deklaratën e AKSHI, por problemi është se AKSHI përgjigjet vetëm për E-Albana dhe disa shërbime të tjera. Do të duhet të jetë AKCESK që të tregojë mbi situatën pasi ai është autoriteti që mbikëqyr gjithë sigurinë kibernetike të vendit”, tha eksperti.
Një ditë pas sulmeve kibernetike të 25 dhjetorit, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike njoftoi se po punohej për rimëkëmbjen e sistemeve të prekura. (A2 Televizion)