Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Meico”, ishte dëshmitari i radhës në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Posaçme.
Pinari, i shpallur fajtor në dosjen e parë "Gërdeci", rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henri, përfaqësuesin e SAC, kompanisë amerikane të përfshirë në demontimin në Gërdec.
“Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Meico nuk ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e Gërdecit”, mësohet të ketë thënë ai.
Ai tha se vendi është përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
“Nga viti 2001 kur jam emëruar në krye të MEICO kam marrë informacion se, në kuadër të hyrjes në NATO, deri në 2008-2010, stoku i municioneve të ushtrisë duhet të evandohej. Ne nga ana tjetër duhet të verifikonim që të mos shisnim municion te vende që kishin embargo, apo në kompani jo serioze.
Ka një vendim të qeverisë Meksi, që përcakton se tepricat e municioneve duhet të shiten "në blerësin e parë". Ne ndërkohë ishim të detyruar që të gjitha shitjet që realizonim duhet t'i raportonim te Presidenti, kryeministri, ministria e mbrojtjes dhe KLSH. Në një urdhër tjetër të vitit 2002 urdhërohej që tepricat e municioneve të shiteshin, demontoheshin, apo asgjësoheshin. Gërdecin si vend demontimi e ka përcaktuar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura”, u shpreh ai.
Dosja “Gërdeci” u riaktivizua pas një kallëzimi në SPAK të familjarëve të viktimave të shpërthimit tragjik, gati 13 vjet pasi Gjykata e Lartë kishte pushuar çështjen ndaj ish-ministrit. Në vijimësi Mediu ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave, duke i konsideruar ato si te motivuara politikisht. (A2 Televizion)