Ish-ministri i drejtësisë në vitin 2007, Aldo Bumçi dëshmoi këtë të enjte në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Gërdeci”. Para gjykatës ai mohoi t’i kishte përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes një shkresë në lidhje me Gërdecin me shënimin “për z. Shkëlzen Berisha”.
"Shkresa në fjalë, e datës 09.03.2007, ishte dërguar me herët me postë dhe me fax për në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa shkresa me shënimin me shkrim dore është dërguar disa ditë më vonë. Asnjë fax nuk është dërguar nga unë, asnjëherë, për asnjë ministër. Ministri firmos shkresa, që më pas protokollohen dhe dërgohen. Ministria e Mbrojtjes e ka pasur shkresën 5 ditë para mbërritjes së faksit me shënim".
Ish-ministri tha se shënimi me shkrim dore nuk ishte i tij.
"Unë kam bërë kallëzim penal dhe kam kërkuar akt ekspertim kaligrafik. Shkëlzen Berisha nuk ka punuar ndonjëherë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ja po e marrim të mirëqenë se do të flisja me Shkëlzen Berishën. Këtë do ta bëja me fax? Kisha mënyra të tjera kontakti. Ajo është një falsifikim, vetëm për të mbajtur gjallë një çështje politike".
Dëshmitari pranoi njohjen me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, që sipas tij nuk ishte raport miqësor, por politik. Bumçi tha se të paktën dy herë ishte takuar në ministri me Shkëlzen Berishën, për arsye që lidheshin me fushatën zgjedhore e jo për ndonjë bisedë për pozitat e tij si ministër.
I pandehuri Mediu theksoi në seancë te vetmin rast kur ishte sinjalizuar për një problem në Gërdec, për të cilin nga pozitat e ministrit kishte reaguar menjëherë duke kërkuar procedimin e shkelësve të ligjit.
“Nuk ka pasur asnjë reklamim tek Ministri i Mbrojtjes për problemet që mundtë kishte në Gërdec. Ju vura në dispozicion sot një dokument të Policisë Ushtarake, që përpara se të fillonte ky demontim kishte filluar punimet kompania për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Siç e demonstrova, qëndrimi im ka qenë i prerë dhe urdhërues që duhet të procedoheshin penalisht dhe administrativisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin, pa asnjë mëdyshje”.
Dëshmitari Shkëlzen Berisha nuk ishte njoftuar për seancën e së enjtes, ndërsa SPAK i tha gjykatës se kishte siguruar një adresë të re banimi të tij. Për seancën e radhës do të njoftohen për t’u pyetur si të bashkëpandehur, pese nga të akuzuarit e parë të dosjes Gërdeci, mes të cilëve edhe ish-kreu i MEICO, Ylli Pinari dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. (A2 Televizion)