“Vet Hospital Tirana”, spitali më i madh dhe më modern veterinar në Shqipëri, hap dyert si një qendër e teknologjisë së avancuar dhe përkushtimit profesional. Spitali ofron shërbime të specializuara për kujdesin maksimal ndaj kafshëve shtëpiake. Ky investim vendos një standard të ri në mjekësinë veterinare në vend dhe në rajon.
Jetë qeni?! Jo edhe aq! ... “Miku më i mirë i njeriut” po jeton ndoshta ditët më të mira. Dhe për t’i bërë ditët e tyre sa më të bukura dhe të sigurta ka menduar Vet Hospital Tirana, spitali i parë dhe më i madh për kafshët në vend, dhe një nga institucionet më moderne në Ballkan.
“Spitali i ri ka shumë departamente. Nga të gjitha llojet e kirurgjive. Pjesën e hotelerisë së maceve e qenve. Pjesën e pet shop. Të gjitha i ofrojmë”, thotë Marvin Brahja, mjek veterinar në spitalin “Vet Hospital”.
Ky projekt vizionar është sjellë në jetë nga katër mjekë veterinerë të përkushtuar, Emre Aslan, Erko Prifti, Martin Llazani dhe Marvin Brahja, duke vendosur një standard të ri për shëndetin e kafshëve shtëpiake dhe mirëqenien e tyre.
“Është destinacion shumë prekës dhe frymëzues. Është një destinacion humanizmi dhe kujdesi shëndetësor. Është një destinacion arkitekture dhe në fund fare është destinacion sipërmarrje dhe optimizmi për jetën dhe për të ardhmen. Mund të bëhet një film i tërë për këtë sipërmarrje. Është emocionuese të shohësh të gjithë rrugëtimin e brendshëm dhe intinerarin e përkujdesjes për këto kafshë. Është krenari që ky spital veterinar gjendet në Shqipëri” , u shpreh kryeministri Rama.
Me një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë dhe infrastrukturë të teknologjisë së fundit, ky spital modern është i pajisur për të trajtuar edhe rastet më të ndërlikuara mjekësore, duke ofruar një gamë të plotë shërbimesh veterinare nën një çati.
“Ndihem shumë e lumtur që është hapur ky spital kaq i madh pasi edhe unë vetë kam pasur një përvojë me Cocolinën (emri i qenushes), gati dy vite më parë. Ndodhi një sëmundje dhe stafi i Vet Hospital u përkujdes shumë për Cocolinën”, thotë një vajzë.
“Të gjitha vaksinat apo kontrollet e tjera shëndetësore për Ajsin (emri i qenit) i kemi bërë te Vet Hospital. E shikoni edhe se sa i shëndetshëm është”, shprehet një tjetër.
Nga rrezet X digjitale, një sallë kirurgjie plotësisht sterile që eliminon nevojën për antibiotikë pas operacionit, te kujdesi emergjent 24/7, shërbimet dentare, terapia intensive dhe reanimimi –çdo kafshë trajtohet me kujdesin më të lartë të mundshëm.
“Kam ardhur për një operacion për Pumën.Gjë që i ka shpëtuar jetën. Ndaj i jam falënderues Vet Hospital”, thotë një djalë.
Vet Hospital Tirana përfshin gjithashtu një hotel luksoz për qentë dhe macet, si dhe një dyqan ekskluziv për kafshët i markës Oreo & Tony, duke rishkruar standardet e mikpritjes dhe mirëqenies për kafshët në rajon.
Hoteli për qëndrimin e tyre. Themeluar nga katër partnerë që kanë punuar krah përkrah për më shumë se 9 vite, spitali tani ka një staf prej 45 profesionistësh të apasionuar, të cilët punojnë ditë e natë dhe kanë trajtuar mbi 40,00 0pacientë deri më sot.
Ceremonia e inaugurimit, e mbajtur në ambientet e spitalit, u karakterizua nga prania e lartë e figurave të rëndësishme publike. Në event morën pjesë edhe klientë besnikë, dashamirës të kafshëve dhe mbështetës të njohur të kauzave për mbrojtjen e kafshëve. (A2 Televizion)