Nuk është nevoja të jetosh në një zonë të largët rurale që të shpopullohet fshati. Mund të jetosh edhe pranë qendrave urbane, madje të preferuara për turizëm dhe sërish të boshatisesh për shkak të mungesës së kushteve minimale të jetesës siç është uji.
Një shembull i tillë është në Palokastër. Vetëm pak kilometra larg Gjirokastrës së UNESCO-s. Banorët e mbetur në këtë fshat vuajnë dyfish, si mungesën ashtu dhe rrezikun që edhe ai paku që u vjen është i papërdorshëm.
Prej vitesh në rubinetet e banorëve vjen shumë pak ujë edhe ai i ndotur dhe i pakonsumueshëm. Këto problematika kanë bërë që fshati të braktiset dhe tashmë të jetë thuajse i boshatisur. Nga 100 familje në Palokastër sot ka vetëm 30 të tilla, kryesisht me pleq.
“E vështirë është, tani vjen dhe behar. Tani ata na thonë fëmijë neve kemi ujë mami? Se duan të lahen ata”, thotë një e moshuar për A2 CNN. “Shumë dobët me ujin e pijshëm, po s’u bë një ujësjellësi i ri keq e kemi. Vjen një herë në ditë, dy herë në ditë. Po nuk e përballohet një herë në ditë, dy herë në ditë në këtë temperaturë të lartë”, thotë një tjetër.
Edhe ato tuba që shërbejnë për të marrë pak ujë me orar janë në sipërfaqe dhe janë burim rreziku për shëndetin e banorëve. “Kjo plastikë, që është për të vaditur bahçet, perimet, nuk është për ujë të pijshëm. Kjo me ngritjen e temperaturës kontaminohet dhe kthehet në kancerogjen dhe nuk është për të pirë, është jashtë standardi”.
Shtëpitë po mbyllen njëra pas tjetrës, të rinjtë largohen dhe Palokastra po kthehet në një tjetër simbol i mungesës së investimeve bazë që sjellin dhe braktisjen e zonës. (A2 Televizion)