
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sërish lidhur me rastin e helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk, duke bërë me dije se hetimet janë zgjeruar dhe po vijojnë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së mostrave të ushqimeve të furnizuara nga kompania Sori-Al, tashmë është kryer edhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizave mikrobiologjike për të verifikuar nëse mund të ketë qenë burim i infeksionit.
AKU sqaron se mostra të produkteve ushqimore janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV, ndërsa rezultatet priten në vijim.
“Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit”, thuhet në reagimin e AKU-së. (A2 Televizion)