Hetimet për Metën dhe Kryemadhin. Ish-deputeti i LSI, Ralf Gjoni pyetet mbi 2 orë në SPAK

Nga A2 CNN
22 Prill 2024, 11:24 | Aktualitet

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni, pasi qëndroi për më shumë se 2 orë në Prokurorinë e Posaçme, nuk pranoi të tregojë për gazetarët çështjen për të cilën u pyet nga SPAK. Ai konfirmoi vetëm faktin se dha shpjegime si deklarues për angazhimin e tij në pozicione shtetërore.

Jam pyetur si shtetas në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Nuk u pyeta si person në hetim. Nuk ka arsye për të më hetuar mua. Nuk kam qenë pjesë e dosjes së ish-presidentit Meta, se s’kam qenë në kontakt me të kur ka qenë kryetar shteti. Nuk mund të them më shumë, mund të pyesni prokurorët”, tha Gjoni.

Ndërkohë, gazetari i A2CNN, Armand Bajrami duke iu referuar burimeve jozyrtare raporton se Gjoni është paraqitur në SPAK për t'u pyetur në lidhje me hetimet që po bën kjo strukturë për tri kallëzime të bëra ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Tri hetimet prej disa muajsh janë në një procedim të vetëm në duart e SPAK. Mes të tjerave, ka edhe një kallëzim të bërë ndaj Kryemadhit, për pagesa në totalin e 700 mijë eurove të kryera në SHBA, për llogari të një lobimi për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kujtojmë se Ralf Gjoni ka mbajtur detyrën e Këshilltarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në LSI, ndërsa në vitin 2019, ai u bë pjesë e Kuvendit si deputet i LSI-së, në atë që njihej si “opozita e re”.

Ai mori mandatin e deputetit pasi paraardhësit e tij të koalicionit opozitar, PD-LSI vendosën të djegin mandatet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos