Homazhet në Pogradec, përcillet për në banesën e fundit Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli

Nga A2 CNN
5 Qershor 2026, 14:48 | Aktualitet

Dhimbje, lot, jo vetëm nga familjarët, por edhe nga kolegët dhe qytetarët e Pogradecit që mesditën e së premtes krye nderimet e fundit ndaj efektivit të policisë, dëshmorit të atdheut Enea Mekolli që humbi jetën në krye të detyrës në një operacion për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari në malet e Lozhanit në Maliq.

Fillimisht kanë qenë qytetarët dhe të njohur të familjes Mekolli që kanë kryer homazhe dhe më pas kolegët e trupës policore që nuk i përmbanin dot lotët dhe dëshpërimin për humbjen e kolegut të tyre, shkruan A2 CNN. Homazhe kreu edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila deklaroi pas homazheve që këto momente kaq të vështira duhet të shërbejnë edhe për reflektim.

“Ngushëllime të gjithë familjarëve, ngushëllime e kolegëve të tij, ngushëllime trupës së punonjësve të Policisë së Shtetit është një nga ato ngjarje të cilat na bëjnë të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe mbi përgjegjësinë që ushtrimi i kësaj detyre mbart”, tha Koçiu, përcjell A2 CNN.

Ndërsa xhaxhai policit të ndjerë i ka kërkuar Presidentit të Republikës të mos e lenë vendin në dorë të kriminelëve që po u vrasin djemtë. “Jepini fund krimit. Jepini fund krimit se po na vret, na mbyll derën. Bëhuni zot të vendit se e keni lënë këtë vend në dorë të kriminelëve. Po sundojnë kriminelët në çdo cep të Shqipërisë, nuk po dominon dot policia, dominon krimi”, tha ai.

Pas homazheve kortezhi me trupin e dëshmorit të atdheut Enea Mekolli u nis drejt banesës së fundit në varrezat e fshatit Blacë, ku i ndjeri u lind, u rrit dhe ku banonte së bashku me familjen dhe dy fëmijët.

Sakaq, në operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari mbeti i plagosur rëndë edhe efektivi tjetër i policisë, Edison Adri, i cili po vijon mjekimin në spitalin e traumës në Tiranë. Ndërsa hetimet e nisura po verifikojnë edhe mënyrën dhe procedurat e ndjekura nga drejtuesit e policisë së Korçës në zhvillimin e këtij operacioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos