Avokatja Aurora Marku foli në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN lidhur me vështirësitë që, sipas saj, po hasin emigrantët në procedurat për pajisjen me “Green Card” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo tha se shumë persona kanë hequr dorë nga aplikimi, pasi procesi kërkon kthimin në vendin e origjinës dhe ndërprerjen e jetës së ndërtuar në Amerikë. Marku tha se sugjerimi i saj si avokate është që emigrantët të vazhdojnë të jetojnë pa Green Card në SHBA.
“Disa kanë hequr dorë nga aplikimi, sepse çdo aktivitet ndërpritet atje, kthehesh në vendin e origjinës dhe pret sa të pajisesh, për një afat të pacaktuar. Duhet ta fillosh të gjithën nga fillimi, se nuk është se të pret puna, shtëpia me qira.
Sugjerimi im si avokate është të vazhdojnë të jetojnë pa Green Card atje, siç kanë jetuar, të mos jenë me synimin për ta marrë, se kjo mund të jetë edhe një politikë e atyre për t’i kthyer këta emigrantë dhe për t’i lënë në një pritje pa fund, që të vazhdojë procedura 5 vite. Flas gjithmonë ‘me mund’, me mendimin tim personal”, tha Marku. (A2 Televizion)