Një tjetër rast i një peshku tepër helmues është konfirmuar së fundmi në vendin tonë. Profesor Rigers Bakiu ishte i ftuar në studion e emisionit “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, për të dhënë detaje mbi këtë specie.
“Është një vizitor që vjen për herë të dytë, hera e parë ishte para 7 vitesh. Ka rrezik të lartë kjo specie, e kanë origjinën nga Deti i Kuq. Është rikthim paksa i çuditshëm, por vjen nga efektet e ndryshimeve të klimës. Problemi është se këto peshq vendosen diku, shumohen, stabilizohen dhe natyralizohen. Me këtë lloj peshku duhet bërë vërtet kujdes. Në lëkurë ai përmban një toksinë shumë helmuese që bllokon rrugët e frymëmarrjes. Kur temperaturat janë të larta, thjesht kontakti me të, apo nuhatja çon në vdekje të pashmangshme. Sepse kjo toksinë për momentin nuk ka antidote”, tha Bakiu.
“Kemi pasur vdekje të konfirmuara në Qipro dhe Turqi nga ky peshk”, shtoi profesori. (A2 Televizion)