Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, ka deklaruar se megjithëse SHBA dhe Izraeli ndajnë objektiva të njëjta ushtarake në raport me konfliktin me Iranin, interesat e tyre politike mbeten të ndryshme.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Peka theksoi se “objektivat politike të Izraelit janë rajonale, ndërsa ato të SHBA-ve janë globale". Sipas tij konflikti aktual në Iran nuk është i izoluar dhe nuk buron thjesht nga interesat apo lobimi izraelit.
Ai nënvizoi se faktori kryesor lidhet me strategjinë afatgjatë të SHBA-ve për pozicionimin në rendin e ri botëror. Sipas Pekës, bota po shkon drejt një sistemi bipolar, ku përballë SHBA-ve do të qëndrojë Kina.
"Objektivat ushtarake të SHBA-ve dhe të Izraelit janë të njëjta, që konsistojnë në tre pika, shkatërrimin e armëve bërthamore, ose mundësisë për të ndërtuar armë bërthamore nga ana e Iranit, e dyta është shkatërrimi i raketave sidomos atyre balistike, që të mos përbëjnë kërcënim për Lindjen e Mesme, sidomos për Izraelin, dhe e treta shkatërrimi i grupeve proxy që operojnë pjesërisht në Siri, Liban. Objektivat politike mes SHBA-ve dhe Izraelit janë të ndryshme. Objektivat politike të Izraelit janë rajonale, të SHBA-ve janë globale. Lufta në Iran s’është e izoluar, s’ka ardhur prej Izraelit, as prej lobimit të Izraelit, as prej nevojave të Netanjahut dhe Izraelit. Faktori kryesor është pozicionimi i SHBA-ve në botën e së nesërmes. Bota e të ardhmes do shkojë në dy pole përsëri, midis SHBA-ve dhe Kinës në anën tjetër. Gjithçka që ndodh sot në botë do të shikohet si lëvizje ose xhonglim për pozicionimin e palëve në këtë konflikt. Roli i Lindjes së Mesme është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në hierarkinë e interesave të SHBA-ve, fillimisht u vendos Hemisefera Perëndimore, në vendin e dytë Paqësori, Kina-India, në pikën tre Lindja e Mesme, në pikën 4 Europa", tha Peka.
(A2 Televizion)