Pas një viti pezullim, nga vjeshta e këtij viti qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për lotarinë amerikane 2027. Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN avokatja Elona Berki sqaroi ndryshimet në procedurën e aplikimit dhe kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët. Sipas saj DASH ka publikuar disa procedura statike të regjistrimit nga pagesa një euro tek identifikimi.
“Janë vënë në lojë disa procedura statike si regjistrimi përmes një kostoje një euro, detyrimi për të patur një pasaportë të vlefshme në kohën e aplikimit, foto e muajve të fundit dhe një identifikim më të saktë. Nuk mund të aplikojë kushdo, por dikush që ekziston, të jetë e aprovueshme ekzistenca e personit. Kjo është një politikë administrative e DASH për ta bërë këtë sistem më të sigurt”, tha avokatja në Dita Jonë në A2 CNN.
Këto ndryshime në procedurën e aplikimit, sipas saj janë bërë me qëllim për të prishur rrjetin e aplikimeve masive e fiktive apo të dyfishta e trefishta që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve.
“DASH ka vendosur ta bëjë këtë procedurë më të sigurt. Dy nga ndryshimet që janë bërë; fjala Gender është ndryshuar me Sex. Nëse më parë kërkohej mosha (Age), sivjet është ndryshuar me (Date Of Birth)”, shpjegoi ajo në A2 CNN.
Avokatja theksoi në Dita Jonë në A2 CNN se pavarësisht ndryshimit të procedurave të aplikimit, numri i përfituesve nga lotaria amerikane do të jetë i njëjtë.
“Në 11 mars ka qenë data kur janë publikuar ndryshimet dhe në prill do të hyjnë në fuqi, por lotaria amerikane do të nisë aplikimin në shtator-tetor 2026. Numri i përfituesve nga lotaria amerikane mbetet i njëjtë. Thjesht do të ketë selektim më të madh. Ata që skualifikohen janë ata që nuk aplikojnë në mënyrën e duhur”, theksoi avokatja.
(A2 Televizion)