"Kamera në trupin e Policit”, Demo nxjerr pamjet e të rinjve me maska që kanë ushtruar dhunë

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 16:34 | Aktualitet

"Kamera në trupin e Policit”, Demo nxjerr pamjet e të

Ministri Demo ka paralajmëruar fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit. Në një konferencë për shtyp në lidhje me protestat e dhunshme në Tiranë, Demo bëri të ditur se shumë shpejt efektivët në Tiranë do të pajisen me kamera trupi, për të dokumentuar veprimet e policisë dhe për të rritur transparencën gjatë ndërhyrjeve.

“Një gjë është e sigurt, nga këto protesta ne kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative dhe ne do të punojmë fuqimisht që të ecim me hapa të shpejtë për sa i përket përdorimit të teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit. Unë do të doja të përmendja një element të parë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për sa i përket transparencës së veprimeve të Policisë së Shtetit që janë kamerat e trupit që ne shumë shpejt do t'i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë së Shtetit në Bashkinë e Tiranës, ku do të kemi tashmë përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar edhe dhunën apo veprave jo të ligjshme, që ndërmerren nga individë të caktuar, por në të njëjtën kohë, për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore”, tha ai.

Gjatë konderencës për shtyp ministri nxori edhe pamjet e të rinjve me maska që kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, bizneseve private dhe punonjësve të policisë gjatë protestave. Ai tha se, falë teknologjisë, është bërë i mundur identifikimi i tyre dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.

“Për sa i përket teknologjisë që tashmë ne jemi duke përdorur, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në evidentimin e elementëve të dhunshëm gjatë protestës, sidomos atyre elementëve të cilët janë të maskuar.  Siç e shikoni edhe nga materialet, këto janë disa prej shembujve, të cilët ne tashmë kemi identifikuar. Materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, kanë ushtruar dhunë ndaj bizneseve private, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndërkohë falë teknologjisë ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për sa i përket përgjegjësisë ligjore, penale që këta individë duhet të kenë”, tha Demo.

Ministri i bëri thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës që të japin një përgjigje të unifikuar ndaj akteve të dhunës, duke kërkuar që personat përgjegjës të përballen me pasojat ligjore.

“Do të doja t'i bëja një thirrje dhe Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës, për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive, ku ata elementë, të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptarëve, patjetër të kenë një standard për sa i përket përgjegjësisë ligjore që ata duhet të përballen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos