Bregdeti i Durrës po hyn në sezonin veror me pritshmëri të larta për numrin e turistëve dhe rezervimet në strukturat akomoduese.
Sipas informacioneve, hotelet dhe resortet kryesore në zonë kanë arritur nivele të larta prenotimesh për muajt e verës, në nivelet 80 për qind, ndërsa autoritetet lokale presin një rritje të vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar.
Gazetarja Elitjona Doko, në një raportim për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, tha se Bashkia e Durrësit pret që këtë vit qyteti të vizitohet nga rreth 1.5 milionë turistë.
“Kryetarja e bashkisë deklaron se pritet këtë vit që të jenë 1,5 milionë turistë që do të vizitojnë Durrësin. Viti i shkuar pati një lloj zhgënjimi, sepse iku pjesa e qytetarëve të Kosovës, apo edhe shumë qytetarë të Shqipërisë kishin një lloj trendi që të iknin jashtë vendit. Referuar rezervimeve të deritanishme periudha qershor-korrik-gusht është në nivele 80 për qind të strukturave akomoduese të mëdha, hotele dhe resorte, të rezervuara. Pritshmëritë e tyre janë që të ketë një shtrirje më të gjatë, nga shtatori deri në fund të tetorit”, raporton gazetarja. (A2 Televizion)