
Policia e Shkodrës ka asgjësuar një numër të konsiderueshëm filizash kanabisi, që kultivohej në platforma polistiroli në fshatrat Bajzë dhe Gruemirë Çezmë të Malësisë së Madhe.
Në pranga kanë rënë tre persona, janë proceduar penalisht dy të tjerë dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
“Si rezultat i operacionit, në fshatin Bajzë, u evidentuan një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabisi, të kultivuar në platforma polistiroli, me qëllim kultivimin e tyre në tokë. Platformat me filiza u shkatërruan gjatë operacionit, ndërkohë që një pjesë e tyre u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale. Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit: E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe (familjarë), të tre banues në fshatin Bajzë. Po në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u konstatuan edhe disa platforma të tjera polistiroli, në të cilat ishin kultivuar filiza dhe fara narkotike të dyshuara kanabisi. Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, dhe nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe, dhe Z. R., 75 vjeçe, banuese në këtë fshat”, thuhet në njoftimin e “bluve” të Shkodrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)