Një lokal në qendër të Prishtinës u kthye në një pikë të veçantë mikpritjeje për tifozët gjatë ndeshjes Kosovë-Turqi, duke ofruar kafe dhe çaj falas për të gjithë turqit, por edhe vendasit.
Pronari i lokalit, Mentor Berisha, në një intervistë për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, tha se nisma ishte një formë falënderimi ndaj popullit turk për mbështetjen ndër vite ndaj Kosovës.
“Falenderojmë popullin turk që na ka ndihmuar gjatë kohës më të vështirë. Nuk e prisja një interesim kaq të madh”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, lokali tërhoqi vëmendje të madhe jo vetëm nga tifozët, por edhe nga përfaqësues të lartë institucionalë. Ai tregoi se ambientet e tij u vizituan nga ministri i Sportit të Turqisë, ambasadori turk në Kosovë dhe drejtues të federatës turke të futbollit.
“Nuk e prisja se do të kishte pasur kaq shumë interes. Interesimi ishte shumë i madh. Erdhi ministri i Sportit të Turqisë, erdhi ambasadori i Turqisë në Kosovë, Presidenti i Federatës Turke, të gjithë erdhën. Veç prej tabelës erdhën. Të gjithë tifozët bënin foto me mua. Nuk e prisja se do kishte këtë lloj impakti. Ishte shumë impakt i madh. Histori personale s’kam pasur me Turqinë. Lokali është në qendër dhe hoteli ku qëndronin lojtarët ishte në krah të lokalit. Ngjalli shumë kureshtje. Edhe tifozëve dardanë u shërbeja, edhe për ta ishte falas”, u shpreh ai.
(A2 Televizion)