Dikur, duhani ka qenë ndër kulturat bujqësore që siguronte të ardhurat më të mëdha për ekonominë, por edhe për punësimin. Por, si gjithë kulturat e tjera bujqësore, edhe kultivimi i duhanit vit pas viti ka shënuar rënie.
Në Kurjan të Roskovecit, një zonë me klimë të përshtatshme për kultivimin e duhanit, Novruz Kuka është i vetmi që vijon të kultivojë këtë bimë. Dikur me punëtorë, sot vetëm me bashkëshorten përpiqet të sigurojë ato pak të ardhura.
Fermeri i dikurshëm shprehet se mbështetja nga shteti ka qenë zero, ndërsa shikon si zgjidhje krijimin e një marke shqiptare të duhanit, në kushtet kur qeveria ka vendosur edhe legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
Dikur, në gjithë njësinë administrative të Kurjanit, sasia e duhanit të prodhuar shkonte deri në 3 mijë kv në vit, i gjithë me cilësi të lartë që shkonte për eksport. (A2 Televizion)