“Java nis me shi, por temperaturat mbeten të larta”, parashikimi i motit për sot

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 07:45 | Aktualitet

Java nis me reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, por temperaturat do të vijojnë të jenë të larta. Meteorologia Tanja Porja, në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, bëri të ditur se reshjet do të na shoqërojnë thuajse gjatë gjithë javës, ndërsa më intensive pritet të jenë ditën e premte.

“E gjithë java me shi do të jetë. Çadra do të na duhet thuajse çdo ditë deri të premten, kur presim rrebeshe. Megjithatë, nuk është se do të mungojnë kthjellimet”, u shpreh Porja.

Sa i përket ditës së sotme, meteorologia bëri të ditur se paraditja do të karakterizohet nga vranësira dhe reshje shiu, kryesisht në zonat veriore dhe qendrore të vendit, ndërsa në jug reshjet do të jenë më të pakta.

Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, temperaturat do të mbeten relativisht të larta. Sipas Porjës, mëngjeset do të jenë të ngrohta gjatë gjithë javës, me përjashtim të së martës, ndërsa në mesditë vlerat termike pritet të arrijnë deri në 24-25 gradë Celsius.

Në jug të vendit, paraditja do të dominohet nga vranësira të dendura, me intervale të shkurtra kthjellimesh.

Meteorologia theksoi se reshjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndaj qytetarët duhet të bëjnë kujdes dhe të kenë me vete çadrat, veçanërisht në pritje të rrebesheve që parashikohen për të premten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos