Studentja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Hava Nasufi, në një lidhje live në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçen, foli lidhur me protestën që studentët shqiptarë do të zhvillojnë nesër në Shkup për çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike.
Nasufi deklaroi se studentët kanë pasur kontakte me të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas saj kanë shprehur mbështetje për kauzën e tyre, shkruan A2NN.
“Ne kemi pasur kontakte me të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë shprehur mbështetje, por ne si studentë duam që kjo protestë të mbetet vetëm e studentëve,” u shpreh ajo.
Studentja theksoi se protestuesit nuk po drejtojnë gishtin ndaj asnjë force politike, por shtoi se përgjigjja që kanë marrë shpesh ka qenë që të presin.
“Na kanë thënë që duhet të presim, por ne nuk mund të presim më. Kupa është mbushur,” deklaroi Nasufi.
Ajo sqaroi problematika u evidentua fillimisht gjatë një provimi në fakultetin e jurisprudencës, por situata, tha ajo, është më e gjerë dhe prek shumë institucione në Maqedoninë e Veriut.
“Në institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk mund të shkosh dhe të flasësh lirshëm shqip. Nuk e respektojnë. Nëse dërgon një dokument në gjuhën shqipe në gjykatë, ai dokument hidhet poshtë. Je i detyruar ta dërgosh në gjuhën maqedonase,” u shpreh Nasufi.
Studentë dhe organizata të ndryshme shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protesta lidhur me çështje që prekin statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike. (A2 Televizion)