“U ngatërruan me rrymat”, hipotezat e biologut për zhytësit e mbytur në Maldive

Nga A2 CNN
25 Maj 2026, 10:56 | Aktualitet

Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e kërkimit shkencor nënujor, ku pesë zhytës profesionistë humbën jetën gjatë një ekspedite në një shpellë nënujore në Maldive. Mes viktimave të kësaj tragjedie është edhe biologjia e njohur detare italiane, Monika Montefalcone e cila kishte gjithashtu një lidhje të veçantë me Shqipërinë.

I ftuar në “Dita jonë” në A2 CNN, biologu i njohur shqiptar, Prof. Dr. Sajmir Beqiraj, ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e kolegëve dhe ka ndarë kujtimet e tij nga njohja me Montefalcone-n.

“Është një dhimbje njerëzore për këdo që e dëgjon dhe për çdo person. Janë pesë jetë të humbura në një ngjarje të vetme. Sigurisht që është tragjedi shumë e rëndë. Pastaj ndjeshmëria është më e lartë kur ke njohur nga afër personin, kur ndan të njëjtin profesion, eksperienca pune të përbashkëta, kështu që ndjesia sigurisht është më e lartë në raste të tilla”, tha Beqiraj.

“Me Montefalcone-n, për shkak të punës, fushës së njëjtë të kërkimit, na ka rastisur të jemi në aktivitete të përbashkëta. Ka qenë edhe në Shqipëri në vitin 2012. Këtu ka qenë në fakt edhe njohja e parë me të ndjerën. Unë kam organizuar një konferencë shkencore ndërkombëtare për detin si kooperim midis Universitetit të Tiranës dhe disa institucioneve dhe universiteteve europiane ku Montefalcone ka pasur dhe dy prezantime. Në atë kohë, kolegët italianë e konsideronin si një 'yll në rritje' në profesion. Ajo u nda nga jeta si një eminencë në biologjinë detare, jo vetëm për Italinë por në rang ndërkombëtar”, shtoi ai.

Duke analizuar dinamikën e tragjedisë, Beqiraj sqaroi se zhytjet në shpella janë tejet delikate dhe se ekspertët po hetojnë dy hipoteza kryesore.

“Unë besoj që ditët në vazhdim do të hedhin dritë sepse është planifikuar të bëhet autopsia e trupit të viktimave si dhe inspektimi i pajisjeve dhe i mjeteve të zhytjes. Gjatë javës së shkuar në media kanë dalë pothuajse çdo ditë hipoteza të reja që herë pas here kundërshtonin njëra-tjetrën. Përpara futjes së zhytësve të tjerë për të nxjerrë trupat dominonte hipoteza e efektit venturi që ka të bëjë me rrymat shtytëse në shpellë, lidhur me faktin që ato janë gjetur në dhomën më të largët nga hyrja e shpellës dhe u interpretua në bazë të kësaj hipoteze”, shpjegoi Beqiraj . “Më vonë pastaj pasi u nxorën trupat dhe mbi këtë hipotezë dominoi një hipotezë tjetër, që ka të bëjë me hutimin e tyre në zhytje për shkak të turbullirës... E kanë pasur të vështirë të gjejnë daljen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos