Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, paralajmëroi për rreziqet e sigurisë në rajon, duke theksuar se Ballkani konsiderohet një nga zonat problematike në strategjinë e fundit të NATO-s.
E ftuar në emisionin “ÇdoKënd” në A2 CNN, Zhulali deklaroi se presioni nga Bashkimi Europian apo NATO ndaj vendeve anëtare mund të vijë në rast se ka sinjale për ndikim të aktorëve të huaj që cenojnë interesat e këtyre organizatave.
“Ajo që di është se nëse ka një presion që mund të ushtrohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian apo NATO, përfshirë edhe Amerikën, kjo ndodh kur ka sinjale ose të dhëna konkrete që në Shqipëri kanë penetruar apo po penetrojnë aktorë malinj”, u shpreh Zhulali.
Sipas saj, shqetësimi është edhe më i madh në kushtet e situatës së tensionuar ndërkombëtare dhe luftës në Ukrainë.
“Jemi në kushtet e një lufte të hapur në prag të Europës, në Ukrainë, dhe gjithmonë ekziston frika se kjo luftë mund të përshkallëzohet dhe të zbresë madje edhe deri në Ballkan”, tha ajo.
Zhulali theksoi se në strategjinë e fundit të sigurisë të NATO-s, Ballkani është përfshirë ndër zonat që kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Në strategjinë e fundit të NATO-s për sigurinë është parashikuar që një nga vatrat e nxehta dhe problematike, me ‘llambushkën e alarmit’ të ndezur, është edhe Ballkani”, deklaroi ajo.
Sipas saj, një nga arsyet lidhet me mundësinë e ndikimit rus në rajon përmes vendeve apo aktorëve politikë që konsiderohen më pranë Moskës.
“Mendohet se këtu mund të ushtrojë ndikimin e vet Rusia përmes vendeve satelite të saj si Serbia apo përmes aktorëve të tjerë brenda Bosnje-Hercegovinës, si Milorad Dodik në Republikën Srpska”, u shpreh Zhulali. (A2 Televizion)