Në prag të ditës së verës, Dita Jonë në A2 CNN i kushtoi vëmendje të veçantë sofrës elbasanase që bëri bashkë traditën, kulinarinë dhe folklorin. Gazetarja Adelina Onuzi intervistoi disa nga artistët dhe politikanët e pranishëm. Një prej tyre ishte dhe deputetja socialiste Sara Mile e cila tha se i ka përgatitur ballokumet që në datën një mars dhe do t’i çojë ato në kuvend.
“Unë jam nga ato që në shtëpinë tonë i bëjmë që në datën 1 mars. Ballokumet i quajmë ne. Sepse duke qenë se kemi shumë për të shpërndarë, kemi shumë miq e shokë të cilët duan traditën e Elbasanit. Do ta çojmë bashkë me të gjithë grupin e deputetëve të Elbasanit. Kemi përgatitur diçka shumë të bukur për të gjithë. Me shumë mundësi mund ta shikoni në postimet që ata do të bëjnë, kështu që është e përbashkët”, tha ajo për Dita Jonë në A2 CNN.
Ajo thotë se recetën e ka mësuar nga gjyshja e saj dhe teksa tregon recetën thotë se ende nuk mund ta bëjë vajzën e saj pjesë të procesit.
“Ballokumja është shumë e rëndësishme që masat t'i ketë shumë perfekte edhe ne e dimë se sa mistrecë janë fëmijët në kuzhinë. Kështu që për mos të dalë ndonjë gurabie që nuk ngjan me Ballakumen, nuk kam rrezikuar akoma”, tha ajo.
(A2 Televizion)