
Një tjetër pamje interesante nga natyra është filmuar së fundmi në zonën e Orikumit.
Në breg të detit është parë një karabullak (Great Cormorant), i cili ka tërhequr vëmendjen teksa qëndronte pranë një pulëbardhe.
Ky shpend haset shpesh në zona me ujë dhe peshk, veçanërisht në laguna, shkruan A2.
Në zonën e Vlorës ai mund të shihet shpesh edhe në lagunën e Nartës dhe në lagunën e Orikumit, ku disa individë gjuajnë ushqim jo vetëm në lagunë, por edhe në det apo pranë vaskave të peshkut.
Një nga pamjet karakteristike të karabullakut është kur qëndron me krahët e hapur, një veprim që e bën për të tharë pendët nga uji pas zhytjes gjatë kërkimit të ushqimit.
Prania e këtyre shpendëve tregon edhe njëherë pasurinë natyrore dhe biodiversitetin që ofron bregdeti i Vlorës. (A2 Televizion)