Dita e Verës në Elbasan, kryebashkiaku tregon zonat ku mund të parkohet

Nga A2 CNN
13 Mars 2026, 08:25 | Aktualitet

Për katër ditë me radhë Elbasani do të jetë kryeqendra e festimeve të ditës së Verës. Festa e cila ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme do të përmbyllen të dielën e 15 marsit me aktivitete, lojëra të ndryshme, panaire e koncerte.

Në një lidhje për emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, kryebashkiaku i Elbasanit, Gentian Llatja, dha detaje mbi organizimin e festimeve dhe masat e marra për menaxhimin e trafikut, duke theksuar se këto ditë janë menduar kryesisht për qytetarët dhe jo për qarkullimin e makinave.

Sipas tij janë përcaktuar disa zona parkimi për vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit.

“Për ata që vijnë nga Tirana, parkimi është rekomanduar pranë Doganës së Elbasanit, te Ura e Zaranikës si dhe pranë stacionit të trenit, nga ku qendra e qytetit mund të arrihet lehtësisht në këmbë.

Ndërsa për qytetarët që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi dhe Prrenjasi, janë përcaktuar zona parkimi në hyrje të qytetit, pranë Parkut “Rinia” dhe tek zona e ish-Konservimit. Për ata që vijnë nga drejtimi i Cërrikut apo Fusha e Elbasanit, parkimi është parashikuar pranë terminalit të autobusëve dhe te shkolla e formimit profesional”, njoftoi ai në A2 CNN.

Kryebashkiaku paralajmëroi gjithashtu se një pjesë e mirë e rrugëve në qytet do të jenë të bllokuara ose me trafik të kufizuar gjatë festimeve.

Duke nisur nga pasditja e sotme do të bllokohet bulevardi kryesor i qytetit, rruga “Rinia”, rruga “28 Nëntori”, ndërsa në rrugën “Qemal Stafa” dhe në zonën pranë bashkisë do të ketë kufizime të qarkullimit.

Sipas Llatjas, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore dhe Policinë Bashkiake ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar fluksin e lartë të vizitorëve, i cili pritet të nisë që nga mesdita dhe të shtohet gjatë ditëve në vijim. Festimet e Ditës së Verës pritet të tërheqin mijëra vizitorë në Elbasan, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet kryesore festive në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos