
Pas deklaratave të partnerëve ndërkombëtarë lidhur me votën e Kuvendit për të mos i hequr imunitetin zv.kryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë zërat për presion apo tension në marrëdhëniet me aleatët.
Në konferencën për shtyp, një ditë pasi mazhoranca socialiste rrëzoi në seancë plenare kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Rama theksoi se diskutimet me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë konstruktive dhe se nuk ka pasur as presion, as kërcënime ndaj qeverisë shqiptare.
“Vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, u shpreh Rama.
Sipas tij, në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë Shqipëria përfaqësohet në mënyrë të barabartë dhe me dinjitet.
“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy dhe të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’ më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri nga lart poshtë. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime”, theksoi Rama.
(A2 Televizion)