Matura Shtetërore 2026, sot provimi i parë për gjuhën e huaj

Nga A2 CNN
2 Qershor 2026, 07:22 | Aktualitet

Matura Shtetërore 2026, sot provimi i parë për gjuhën e huaj

Maturantët në të gjithë vendin i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, atij të gjuhës së huaj. Testimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30, sipas kalendarit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi dhe mbi 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit do të ndjekin nga afër mbarëvajtjen e procesit.

Sipas njoftimit të ministrisë pas provimit të gjuhës së huaj, më 9 qershor do të jetë provimi i gjuhës shqipe, kurse provimi i matematikës do të jetë më 16 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 23 qershor.

Pak ditë para nisjes së provimeve, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se përgatitjet për Maturën Shtetërore kanë nisur që në dhjetor 2025 me miratimin e rregullores së re dhe publikimin e testeve model për maturantët. Sipas saj, procesi është shoqëruar me testime provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar të gjitha kushtet e zhvillimit të testit, nga organizimi logjistik deri te masat e sigurisë.

Ministrja theksoi se rregullorja e këtij viti është ashpërsuar krahasuar me vitin e kaluar, duke përcaktuar më qartë detyrat, përgjegjësitë dhe sanksionet për administratorët dhe strukturat përgjegjëse për zhvillimin e provimeve.

Po kështu nuk lejohen telefonat celularë, orët inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit. Sipas Kumbaros, çdo shkelje e këtij rregulli do të sjellë përjashtimin e menjëhershëm të maturantit nga provimi.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos