
Pas protestave për Zvërnecin kryeministri Edi Rama reagoi në mbledhjen e grupit parlamentar socialist në lidhje me projektin e investimit në zonë, duke argumentuar se një pjesë e madhe e zemërimit publik është ushqyer nga informacione të pavërteta. Duke kuptuar shqetësimin e qytetarëve nëse atyre u është thënë se toka po u falej të huajve, Rama tha se ka reflektuar nëse duhet të shpjegojë me detaje anën tjetër të medaljes, apo të tërhiqet nga projekti për të qetësuar opinionin publik.
"Do kisha bërë më keq se ju po të më thonin që ajo tokë është e shtetit dhe shteti po ua fal të huajve. Është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas, edhe legjenda se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Po të më thonin se aty janë futur ca rusë që në bashkëpunim me oligarkët shqiptarët po rrafshojnë zonën e mbrojtur për pallate. Po të më thonin që ishte zonë e mbrojtur dhe qeveria e hoqi nga mbrojtja për tua falur të huajve që do të vijnë të shkatërrojnë biodiversitetin e zonës. Po të më thoshin se në vend të flamengove do të pastrohen paratë e zeza të mafies ndërkombëtare dhe të tjera e të tjera. Nga ato që ju janë thënë, që pastaj i keni thënë duke i shpërndarë dhe janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi, deri duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik.
Pikërisht se unë e kuptoj shumë mirë këtë dhe zemërimin tuaj, kam dy ditë që e pyes veten, a duhet t’ua tregoj një e nga një anën tjetër të kësaj medalje, me probabilitetin e lartë që ju mos të besoni dhe të vazhdoni të më ngrini mua tradhtar dhe të më ulini të korruptuar e të shitur sa te të huajt, sa të oligarkët.
Apo mos vallë duhet t’iu them me falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë punë, projekti do të anulohet dhe ju të qetësoheni, të shijoni fitoren e një kauze që e parë nga ana juaj e medaljes është vërtet fisnike dhe të mendoni se mbrojtët Shqipërinë nga një e keqe e madhe. Ndërsa unë pasi ta bëj këtë të vazhdoj të rri në karrige të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur të një humbje të madhe për Shqipërinë, për fëmijët e sotëm të Shqipërisë që do të jenë përfituesit e nesërm të këtij investimi. Pse duhet ta bëj unë këtë? Për pushtetin, për karrigen apo për baltën që e marr në fytyrë dhe që më vjen përditë mbi të gjallët e të vdekurit e shtëpisë sime nga kundërshtarët politikë që i duroj sepse këtë mision e mbaj ende përsipër në emër të shumëkujt nga ju që më ka dhënë votën e sot i është bashkuar zemëratës duke më treguar me gisht si prurësin e një fatkeqësie kombëtare. Çfarë më duhet karrigia e pushteti nëse heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite. Për çfarë më duhet pushteti e karrigia? Që të qetësoheni ju? Të heq dorë nga vizioni?" (A2 Televizion)