Projekti në Zvërnec, Rama: Pishë-Poro nuk është zonë e mbrojtur

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 11:02 | Aktualitet

Zona e Pishë-Poros për të cilën është protestuar gjatë fundjavës nuk është zonë e mbrojtur. Kështu u shpreh kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, sipas të cilit kjo zonë  i përket kategorisë 5 së peizazhit të mbrojtur që lejon zhvillimin dhe bashkëjetesën me njeriun.

Rama tha se zona të mbrojtura janë Thethi e Vjosa, ku për këtë të fundit u shpreh se nuk po ndërtohet dhe as shkatërrohet, pasi gëzon mbrojtjen më të lartë. Sipas tij zonat e mbrojtura, janë linjëzuar me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Pishë-Poro nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet edhe sipas IUCN-së, kategori e pestë, peizazh i mbrojtur dhe për shpalljen peizazh i mbrojtur dhe të gjitha detajet ka një vendim qeverie. Por ajo që është e rëndësishme të thuhet dhe nuk iu është treguar, në 2017 këto kategori në ligjin tonë janë të adoptuara në mënyrë të plotë dhe thelbi i sistemit është i gjithi i linjëzuar me standardet më të larta ndërkombëtare. Sa më lart të shkohet në kategoritë 1 dhe 2, aq më shumë kufizohet ndërhyrja. Kategoritë 5, 6 janë të ndërtuara si kategori bashkëjetese mes peizazhit dhe njeriut. Kategoria 5 nuk konceptohet si zonë pa zhvillim. Në nenin 20 të ligjit të vitit 2017 përcaktohet se peizazhi i mbrojtur është një territor ku mund të ekzistojnë edhe qendra banimi dhe aktivitete të tjera. Konkretisht, në pikën 4 përcaktohet se veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit, si ndërtimet, autostradat apo zonat urbane, lejohen të ushtrohen vetëm nëse subjekti që kërkon t’i kryejë këto veprimtari pajiset me leje nga institucionet përkatëse. Nuk kemi bërë asnjë heqje nga asgjë. Pishë-Poro ka qenë peizazh i mbrojtur dhe vijon të jetë i tillë. Është e vërtetë që në vitin 2024 kemi bërë një amendim të ligjit, me një kërkesë të kryebashkiakëve të vendit, për të vendosur një ekuilibër mes potencialit për zhvillim dhe mbrojtjes së territoreve. Ligji ekzistues nuk merrte parasysh realitetet e tranzicionit. Thethi është zonë e mbrojtur. Legalizimet e të gjitha ndërtimeve të vjetra janë bërë me këtë ndërhyrje ligjore, sepse bëhet fjalë për një realitet të krijuar. Mos i ngatërroni këto me ata që u turrën të ndërtonin pa leje sapo morën vesh se të tjerët do të legalizoheshin. Nga ana tjetër, peizazhi i mbrojtur Pishë Poro–Nartë deri në vitin 2020 quhej Vjosë–Nartë. Nuk po ndërtohet në Vjosë dhe nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës. Vjosa ka nivelin më të lartë të mbrojtjes”, tha kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos