Mbërrijnë 16 refugjatët e parë në Shqipëri, çfarë ndodh tani? Detajet e procedurave

Nga A2 CNN
16 Tetor 2024, 13:04 | Aktualitet

Ka mbërritur në portin e Shëngjinit grupi i parë i azilkërkuesve pas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Anija “Libra” e Marinës italiane ka sjellë në tokën shqiptare 16 azilkërkues nga Egjipti dhe Bangladeshi që pritet të strehohen në kampin në Gjadër, i ndërtuar posaçërisht për këtë projekt. Kjo është faza e parë e një procesi që synon të lehtësojë në përpunimin e kërkesave të azilit tw shtetasve nga vende të treta nga shteti italian.

Pasi kanë kaluar kontrollet fillestare në Itali dhe një verifikim të detajuar mjekësor në portin e Shëngjinit, azilkërkuesit janë shoqëruar deri në qendrën e pritjes. Marrëveshja parashikon që vetëm meshkuj të strehohen në këtë kamp, ku do të përpunohen kërkesat e tyre për azil. Në rast të miratimit, ata do të dërgohen në Itali, por nëse kërkesat e tyre hidhen poshtë, ata mund të kthehen në vendet e origjinës.

Ky projekt premton të sjellë një fazë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve, megjithatë ka pasur edhe kundërshti. Shoqëria civile në Lezhë ka organizuar protesta duke pretenduar se kjo marrëveshje shkel të drejtat e njeriut. Sipas protestuesve, Shqipëria po kthehet në një "burg" të refugjatëve, fenomen i cili kërkon vëmendje nga Bashkimi Evropian.

Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, raportoi se institucionet shqiptare kanë qenë të përgatitura për këtë ditë. Autoritetet në Shëngjin dhe Gjadër kanë marrë masa maksimale sigurie për të realizuar procesin pa probleme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos