
Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, atij të Gjuhës së Huaj. Procesi do të vijojë më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka përcjellë një mesazh urimi dhe inkurajimi maturantëve, duke u bërë thirrje për besim me këtë sfidë të rëndësishme.
“Ju keni punuar fort, jeni përgatitur me testet model, testet provë dhe orët e këshillimit me mësuesit. Sot kam kënaqësinë t’ju uroj me gjithë zemër mbarësi dhe shumë suksese. Suksesi do të jetë me ju! Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, tha Kumbaro.
Ministrja theksoi se pas këtyre provimeve hapen rrugët e së ardhmes për maturantët, drejt universiteteve, drejt tregut të punës dhe profesioneve që do të zgjedhin.
Për garantimin e një procesi të rregullt dhe të sigurt, në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi. Në administrimin e testimeve janë angazhuar 2.087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të merren me korrigjimin e testeve.
Institucionet arsimore kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e provimeve, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje maturantëve të respektojnë rregullat dhe të paraqiten në qendrat e testimit vetëm me mjetet e lejuara, duke shmangur çdo pajisje që mund të sjellë përjashtimin nga provimi. (A2 Televizion)