Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në një intervistë ekskluzive për A2 CNN, tregoi se si është situata me shqiptarët në Izrael dhe Iran, vende të cilat kanë nisur prej 5 ditësh një konflikt të armatosur mes tyre.
“Në këto momente që po flasim, Ministria e Jashtme po kryen një operacion evakuimi të disa shqiptarëve të cilët kanë kërkuar ndihmën tonë për t’u larguar nga Izraeli. Do i sjellim në Tiranë shumë shpejt. Kemi pasur ndihmë nga autoritetet greke dhe bullgare për të nxjerrë jo vetëm shqiptarë, por edhe shtetas të Kosovës. Edhe vende kufitare si Egjipti dhe Jordania kanë qenë shumë ndihmues në këtë proces”, tha Hasani.
Ministri i Jashtëm shtoi: “Vëmendja ndaj shtetasve të Republikës së Shqipërisë është maksimale. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje që të kufizohen udhëtimet, por i kuptojmë ata që vendosin të udhëtojnë”. (A2 Televizion)