Presidenti i Eurojust, Michael Schmid nga punimet e Forumit të Kryeprokurorëve në Tiranë vlerësoi bashkëpunimin me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të goditjes së grupeve kriminale, që ushtrojnë aktivitetin kryesisht në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë i rëndësishëm, pasi Austria ka lidhje historike me këtë pjesë të Europës. Ballkani Perëndimor është partner me rëndësi për Eurojust. Ju jeni një nga aleatët kryesorë në shumë aspekte, edhe në luftën kundër krimit. Të rrisim bashkëpunimin, pasi grupet kriminale punojnë dhe kalojnë kufijtë. Ne mendojmë se projekti për Ballkanin Perëndimor është sukses, të rrisim besimin reciprok, të rrisim bashkëpunimin mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Kemi pasur shume hetime të përbashkëta për mashtrimet online, janë arrestuar qindra persona dhe janë sekuestruar prona të shumta”, u shpreh ai.
Schmid u shpreh se që nga forumi i parë i organizuar nga Mali i Zi ka pasur shumë raste të identifikuara sa i përket mashtrimit online dhe janë arrestuar qindra të dyshuar dhe janë konfiskuar mallra të paligjshëm në numër shumë të lartë.
“Katër grupet hetimore të përbashkëta nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë me trafikimin e drogës, falsifikimin e parave dhe deri më shumë se 50 çështje janë mbështetur që kanë përfshirë vendin tuaj. Kjo është një punë e shkëlqyer e prokurorëve që ne kemi në Eurojust të pikave të kontaktit si dhe anëtarëve të grupeve të kontaktit shumë prej të cilëve janë këtu sot me ne dhe që dua t’i falënderoj”, shtoi Schmid. (A2 Televizion)