Presidenti Begaj drejtoi samitin e SEECP-së: Anëtarësimi në BE, një udhëtim transformues që sjell paqe, stabilitet dhe prosperitet

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 21:32 | Aktualitet

Presidenti Begaj drejtoi samitin e SEECP-së: Anëtarësimi në

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti sot në Tiranë kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në cilësinë e kryetarit të SEECP-së për periudhën 2024-2025, Presidenti Begaj në hapje të samitit dhe në deklaratën përmbyllëse për shtypin vlerësoi arritjet e deritanishme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian dhe ftoi të gjitha vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian për të ruajtur vullnetin politik në mënyrë që të mos shuhet shpresa për anëtarësim në Union.

Kreu i Shtetit e cilësoi samitin e SEECP-së si një mundësi për të inkurajuar dialogun që synon nxitjen e stabilitetit, prosperitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe procesin e integrimit evropian.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vend i cili ka kryesuar SEECP-në para Shqipërisë, dhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili mori kryesinë e radhës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë bëri të ditur se diskutimet e zhvilluara shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin ndaj një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Presidenti i Republikës deklaroi se Shqipëria është gati të udhëheqë, të angazhohet dhe të kontribuojë në mënyrë kuptimplotë në të ardhmen e Evropës dhe se rruga drejt integrimit në BE është e lidhur me integrimin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

Nën kryesinë e Shqipërisë, sipas Presidentit Begaj, SEECP-ja i ka dhënë rëndësi bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes evropiane, pasi forcimi i marrëdhënieve me BE-në do të sjellë përfitime të qëndrueshme, si për rajonin tonë, edhe për kontinentin evropian në përgjithësi.

“Ndërsa shikojmë përpara, është thelbësore që anëtarët e BE-së të kësaj platforme të vazhdojnë të mbështesin integrimin e aspirantëve të SEECP-së në BE në Tregun e Përbashkët të Unionit”, - theksoi Presidenti Begaj në fjalën e hapjes së samitit, duke cilësuar jo nevojë, por urgjencë ndërtimin e urës socio-ekonomike midis Evropës Juglindore dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian.

Ndërsa vlerësoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Presidenti Begaj deklaroi se “Për Shqipërinë, rruga drejt integrimit në BE është e lidhur me integrimin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht i kemi dhënë përparësi pajtimit, krijimit të një Tregu të Përbashkët Rajonal dhe angazhimit të ngushtë në Procesin e Berlinit. Këto nuk janë parime abstrakte. Ato janë hapa praktikë drejt një të ardhmeje të përbashkët”.

Presidenti Begaj foli për vizionin e lidershipit të Shqipërisë në rajon nga kryesimi i Procesit të Berlinit në vitin 2023, tek Iniciativa e Evropës Qendrore, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi në vitin 2024, të MARRI (Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatët) në vitet 2024–2025 dhe, gjithashtu, kryesimin e SEECP-së.

“Angazhimet tona mbeten të qarta: ne besojmë në dialog, në zgjidhje paqësore, lidhje të forta me BE-në dhe një angazhim të qartë për anëtarësimin e rajonit tonë në BE. Megjithatë, duhet të jemi realistë. Kërcënimet ndaj sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike vazhdojnë në disa pjesë të rajonit tonë. Këto sfida duhet të adresohen me vendosmëri, me përfshirjen aktive të BE-së”.

Një vëmendje të veçantë në këtë samit Presidenti i Republikës i kushtoi tensioneve në Lindjen e Mesme, duke përcjellë mesazhin për gjetjen e rrugëve drejt paqes përmes angazhimit të palëve në përpjekje diplomatike. Konflikti i fundit mes Izraelit dhe Iranit përbën shqetësim dhe rrezik serioz me pasoja globale dhe Kreu i Shtetit deklaroi qëndrimin e  vendit tona për zgjidhjen e kësaj situate: “Shqipëria shpreh shqetësimin për tensionet në rritje midis Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme e më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë e tij dhe mbrojtjen e qytetarëve. Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Iranit të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Shqipëria u bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale dhe përpjekje diplomatike për të çtensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”.

Në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, që ka rikthyer në rajon shqetësimin dhe brishtësinë e paqes dhe përhapjen e paqëndrueshmërisë, Presidenti Begaj vlerësoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm çështje reformash, por edhe çështje e sigurisë evropiane.

Presidenti i Republikës, ndërsa foli për ritmin e shpejtë të reformave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, u bëri thirrje liderëve në samit që të avancohet me procesin e integrimit të përbashkët në BE: “Shpresa e anëtarësimit nuk duhet të zbehet në lodhje. Ajo duhet të mbetet një objektiv i përbashkët dhe një qëllim i prekshëm për të gjithë rajonin tonë. Ballkani Perëndimor ka një potencial të madh për rritje. Anëtarësimi në BE është më shumë se sa thjesht një proces. Është një udhëtim transformues. Sjell paqe. Sjell stabilitet. Sjell prosperitet. Por kërkon, gjithashtu, vullnet politik të palëkundur, si nga vendet aspirante, edhe nga vetë BE-ja”.

“Shqipëria, - theksoi Presidenti Begaj, mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të platformës së SEECP-së, duke rikonfirmuar angazhimin për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos