Miratohet huaja 302 mln dollarë për ushtrinë, SHBA: Ndihmojmë Shqipërinë të arrijë kuotën 5% në NATO

Nga Xhevahir Qardaku
4 Gusht 2026, 11:03 | Aktualitet

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar kredinë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes. Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, kredia do të çojë përpara modernizimin ushtarak dhe do të forcojë mbrojtjen europiane.

“Ky financim do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, për rritjen e shpenzimeve në këtë sektor në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Huaja do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kyçe me origjinë amerikane, dhe do të forcojë aftësinë e Europës për të mbrojtur veten.”

DASH e vlerëson Shqipërinë si një aleate të NATO-s, si edhe për rolin e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, reagoi duke falënderuar Uashingtonin për besimin.

“Votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare. Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë dhe rajonin më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës.

Marrëveshja, e votuar javën e kaluar në Parlament dhe e dekretuar nga Presidenti Begaj, u bë shkak për debat të ashpër politik. Partia Demokratike nuk e votoi atë, duke argumentuar se Qeveria nuk ka respektuar procedurat parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit.

Për këtë arsye, demokratët e kanë dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se maxhoranca ka kryer shtatë shkelje procedurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos