Zjarri në Finiq, u rrezikuan banesat, ndërhyjnë helikopterët e ushtrisë

Nga A2 CNN
3 Gusht 2026, 22:49 | Aktualitet

Pamje dramatike nga fshati Kostar, në Bashkinë e Finiqit. Flakët përfshinë hektarë të tërë me bimësi dhe iu afruan rrezikshëm zonës së banuar, duke kërcënuar disa banesa.

Në mbështetje të forcave të shërbimit zjarrfikës u angazhuan edhe tre helikopterë. Pas disa ndërhyrjeve nga ajri, rreziku për banesat u vu nën kontroll, të paktën përkohësisht.

Situata mbetet problematike edhe në fshatrat Mesopotam dhe Vllahat, ku ekipet zjarrfikëse janë vendosur pranë banesave për të penguar përhapjen e flakëve.

Një tjetër vatër e përmasave të mëdha përfshiu të hënën edhe rrethinat e fshatit Hekal. Situata më kritike u regjistrua pranë vendit të njohur si Qafa e Vidhit.

Të favorizuara nga era, flakët u përhapën me shpejtësi, duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj. Në terren u angazhuan gjashtë mjete të shërbimit zjarrfikës, të cilat punuan për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Shkaqet e zjarreve që kanë përfshirë vendin në ditët e para të muajit gusht mbeten ende të paqarta. Ndërsa hetimet vijojnë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos